Lajme
31.7.2024 04:43
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot kishte takim me ambasadoren e Ukrainës në Maqedoninë e Veriut, Larisa Dir, në fokus të së cilës ishin çështjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian dhe bashkëpunimin bilateral.
Ministri Murtezani theksoi mbështetjen e fuqishme të Maqedonisë së Veriut për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe popullit ukrainas, në kontekstin e agresionit ushtarak rus, duke theksuar harmonizimin tonë të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Njëherit, Murtezani përshëndeti vendimin pozitiv të Unionit për statusin kandidat të Ukrainës për anëtarësim në BE.
Bashkëbiseduesit shprehën shpresë për progresin e suksesshëm të përbashkët të të dyja vendeve në rrugën euro-integruese, për çka ministri Murtezani potencoi gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut ti ndajë përvojat e saj lidhur me negociatat aderuese të skriningut, harmonizimit të legjislacionit me të drejtën e BE-së, përgatitjen e versionit nacional të Acquis-it evropian, koordinimin e IPA fondeve dhe të ngjashme.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunim të mundshëm në kontekst të shkëmbimit të përvojave dhe praktikave të mira, përmes Memorandumit për bashkëpunim për temat lidhur me euro-integrimet, me iniciativë të palës maqedonase. Dir dhe Murtezani riafirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, duke iu referuar modaliteteve për përforcimin e dialogut politik, marrëdhënieve ekonomike dhe mundësive për investime duke pasur parasysh situatën në Ukrainë.