Lajme
15.7.2024 09:24
Sot, Ministri për Çështje Evropiane kishte fjalën e tij hyrëse në hapjen e Shkollës verore ndërkombëtare ballkanike “Ballkani dhe politika globale”, në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup.
Në fjalën e tij Ministri Murtezani i përshëndeti të pranishmit duke theksuar se pozita unike e Ballkanit shpesh herë vendos fokusin në ngjarjet e rëndësishme globale, dhe jo rastësisht cilësohet si zemra apo udhëkryqi i Evropës. Ai foli për kompleksin e sfidave politike globale, duke e ndjekur qëllimin tonë strategjik të euro-integrimit.
“Qëllimi ynë është që të jemi pjesë e familjes evropiane, jo vetëm harmonizimi i standardeve të BE-së, por edhe aplikimi i vlerave evropiane, si shtylla përmes të cilave duam ta ndërtojmë të ardhmen e vendit dhe të rajonit. Ballkanin e shohim si rajon me të ardhme të ndërsjella, ku bashkëpunimi në infrastrukturë, inovacionet digjitale dhe projektet energjetike mund të krijojë sinergji të fuqishme për rritjen rajonale dhe stabilitet”- potencoi Murtezani.
Mes tjerash Ministri Murtezani në fjalën e tij iu referua edhe Planit të rritjes të BE-së të Ballkanit Perëndimor që është në korrelacion thelbësor me qëllimet strategjike përmirësimin cilësor të statusin socio-ekonomik, respektivisht rritje të dukshme të standardit jetësor të qytetarëve.
Ai theksoi se bashkëpunimi rajonal është i rëndësisë së veçantë, Ballkani Perëndimor vetëm i unifikuar mund ta forcoj zërin e tij dhe të ndikojë në skenën ndërkombëtare, përpjekjet për përmirësimin e infrastrukturës, përmirësimin e ndërlidhjes digjitale dhe sigurimin e energjisë së sigurt janë të rëndësisë vitale për zhvillimin e qëndrueshëm dhe kohezionit rajonal.
Në fund të fjalës së tij Ministri Murtezani falënderoi organizatorët, Fondacionit për studime ballkanike – Shkup dhe ju dëshiroi javë të suksesshme në këtë shkollë verore dhe qëndrim të mirë në vendin tonë.