Lajme
23.1.2024 02:30
Sot në kuadër të konferencës vjetore të Qeverisë u mbajt paneli diskutimi i parë: “Në rrugën drejt BE-së: Shfrytëzimi i mundësive për integrim të shpejtë”, ku në këtë temë diskutuan zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyçi, zëvendëskryeministri për çështje evropiane Bojan Mariçiq, ministri i Financë Fatmir Besimi dhe përfaqësuesi i bashkësisë akademike Sinisha Naumoski.
Hyrja e diskutimit u nis nga moderatorja Ivana Vuçkova, nga fondacioni Friedrih Ebert Shtiftung, me pyetje drejtuar panelistëve për mundësitë që hapen me Planin e rritjes dhe për përfitimet ekonomike, për të cilën zëvendëskryeministri Bytyçi deklaroi:
“Me ndryshimet strukturore në ekonomi filluam që në vitin 2017, kur u miratua Plani për rritje ekonomike, me të cilin për herë të parë u barazua mbështetja e kompanive vendase dhe të huaja. Para vitit 2017 nuk ishte e mundur të gjendej një kompani e vetme vendase që të ishte e mbështetur në mënyrë strukturores nga Qeveria, Më pas filluam me Ligjin për mbështetjen financiare të investimeve, i cili në portofolin e tij sot ka 919 kompani, të cilat punojnë në prodhim, të cilat janë pjesë të zinxhirëve të vlerës së sektorëve të ndryshëm, të cilët investojnë dhe bëhen më konkurrues.
Puna e dytë sistemore që kemi nisur është krijimi i vizionit për njëzet vitet e ardhshme. Jemi kah fundi i miratimit të Strategjisë nacionale zhvillimore (SNZH), e cila duhet të miratohet këtë muaj nga Qeveria, e më pas edhe nga Kuvendi. Pas 27 vitesh do të kemi një strategji ombrellë, e cila do të japë një vizion të qartë për vendin tonë për 20 vitet e ardhshme. Proceset integruese evropiane janë inkorporuar në SNZH, për shkak se ne qëllimin e proceseve integruese evropiane e kemi vendosur deri në vitin 2030, SNZH shkon shumë më tej. SNZH flet për gjashtë fusha strategjike.
Inkurajimi i ekonomisë së qëndrueshme, inovative dhe konkurruese, duke siguruar zhvillim koheziv lokal dhe rajonal, rigjallërim demografik dhe progres social-kulturor. Misioni ynë i përbashkët, të cilin do ta zbatojmë nëpërmjet SNZH, është të ndërtojmë një shoqëri fleksibël të bazuar në parimet e sundimit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë. Angazhimi ynë përfshin edhe zotimin për transformime të gjelbra, duke hapur rrugën drejt një shteti të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për energjinë”.
Në vazhdim të diskutimit për pyetjen se si erdhi deri te realizimi i Planit të rritjes, zëvendëskryeministri Mariçiq tha:
“Mund të përgëzojmë pa rezerva veten, 15 muaj proces skriningu që na dha një pamje reale, pothuajse 1000 persona morën pjesë në atë proces të madh, 800 raporte të realizuara, punë intensive të administratës e cila e punoi në mënyrë profesionale dhe ishte në nivel të detyrës.
Me realizimin e suksesshëm të fazës së parë të negociatave, dhe udhërrëfyesit që tashmë iu dërguan Komisionit Evropian, makina evropiane maqedonase është përshfirë, nga ne varet nëse këtë vit ajo makineri do të vazhdojë të punojë dhe të arrijë në BE deri në vitin 2030.
Me Planin e rritjes, Bashkimi Evropian u jep një impuls të ri vendeve kandidate, atë plan e kemi kërkuar prej kohësh dhe paraqet një strategji të rëndësishme për zhvillimin e rajonit dhe anëtarësimin e përshpejtuar të vendit në BE.
Qëllimi i Komisionit Evropian është t'i zgjasë dorën rajonit dhe vendit tonë, të përmirësojë komunikimin dhe të mos ketë dilema nëse vendi ynë bën pjesë në union.
Jam i sigurt se Plani i rritjes do të fillojë të zbatohet së shpejti.
E kemi përcaktuar rrugën, duhet ta ecim. Rruga evropiane është e arritshme dhe jo aq larg sa dikur. Është e rëndësishme që të mbledhim të gjitha forcat në shoqëri, të gjitha strukturat politike, administratën, institucionet shkencore, organizatat civile të përfshihen në këtë proces reformash.
Beteja jonë është viti 2030, kur do të pranohen anëtarë të rinj në union, që Maqedonia e Veriut të mos jetë në audiencë, por në skenë”.
Rreth temës për përfitimet ekonomike nga anëtarësimi në BE foli ministri i Financave Fatmir Besimi.
“Anëtarësimi në BE është faktori kryesor për të ardhmen tonë të begatë dhe për rritjen ekonomike dhe kjo mundësi nuk lëshohet. Nëse bëjmë krahasim me vendet që janë bërë mrekulli ekonomike, qofshin ato në Lindjen e Largët, Lindjen e Mesme, në Evropë apo janë pjesë e BE-së, emëruesi i përbashkët i të gjithëve, ndër të tjera, është se çfarë tregu keni siguruar, kapitali njerëzor dhe arsimi, investimet dhe një klimë e mirë biznesi dhe sundimi i së drejtës. Mrekullia jonë ekonomike nuk mund të ndodhë pa anëtarësimin në BE dhe këtë do ta përjetojmë në momentin që do të bëhemi anëtare të BE-së.
Kjo sepse ekonomia funksionon në atë mënyrë. Përkatësisht, do të keni tre komponentët themelor: 1) kapitalin njerëzor, shkencën dhe teknologjinë, 2) investimet, infrastrukturën, transformimin e gjelbër dhe digjital dhe 3) institucionet e forta dhe sundimi së drejtës. Mbeten edhe dy komponentë për rritje, dhe atë: 4) konsensusi social për temat kryesore që janë bazë e reformave kryesore dhe 5) anëtarësimi në BE, si perspektivë me mundësi të reja”, tha ministri Besimi në panel diskutimin.