Intervista
18.4.2013 11:48
"Dua të them se dialogu, i cili realizohet në nivel të lartë ndërmjet Qeverisë dhe BE-së, si dhe vizita e zotit Fyle, që u realizua së fundmi, është pjesë e asaj se Maqedonia mund të jetë pjesë e një shansi që të jetë temë e Këshillit Evropian në qershor, kur do të shqyrtohet progresi që Maqedonia ka treguar në këtë drejtim", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Besimi, zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë për çështje të Integrimeve.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Besimi, cilat janë gjasat që Maqedonia përfundimisht të mbyllë kapitullin e të qenët siç është shprehur edhe euro-komisari, Shtefan Fyle, “para dyerve të Bashkimit Evropian” dhe të caktohet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në familjen evropiane?
FATMIR BESIMI
Dua të them se dialogu, i cili realizohet në nivel të lartë ndërmjet Qeverisë dhe BE-së, si dhe vizita e zotit Fyle, që u realizua së fundmi, është pjesë e asaj se Maqedonia mund të jetë pjesë e një shansi që të jetë temë e Këshillit Evropian në qershor, kur do të shqyrtohet progresi që Maqedonia ka treguar në këtë drejtim.
Nga kjo perspektivë e sotme, mund të them se është detyrë e jona, si dikaster i integrimeve, po edhe Qeverisë së Maqedonisë, që të japim maksimumin e kontributit ndaj realizimit të obligimeve që kanë të bëjnë me procesin e integrimeve në BE. Ajo që tani ne presim, po edhe vizita e fundit e zotit Fyle, kishte për qëllim të shënohen ato fusha ku Maqedonia kishte progres dhe do të jenë pjesë e raportit, i cili do të dorëzohet më 16 prill, nga ana e komisarit Fyle. Njëkohësisht, edhe të adresohen temat ku Maqedonia ka nevojë të tregojë më shumë progres në të ardhmen. Tema këto që, gjithashtu, janë shumë të rëndësishme dhe analizohen, duke qenë nën thjerrëz për hapat që Maqedonia bën në këtë drejtim.
Ato tema janë, prioritetet e definuara në kuadër të dialogut në nivel të lartë, që ka Maqedonia me BE-në, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe zgjidhja e çështjes së emrit që ka Maqedonia me Greqinë.
Këto janë tri prioritet e definuara në kuadër të Këshillit Evropian, në dhjetor të vitit të kaluar, me ç"rast vendit iu dha një mundësi që para procedurës së rregullt njëvjeçare, të vlerësohet në qershor progresi që ka bërë Maqedonia për këto tri çështje që i theksova.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, komisari Fyle gjatë vizitës së fundit, ishte mjaft kritik sa i përket kapacitetit për të përmbushur Maqedonia pikërisht këto çështje që ju i theksoni. Ku e mbështesni ju optimizmin për raport pozitiv?
FATMIR BESIMI
Maqedonia, në kuadër të dialogut në nivel të lartë për qasje te BE-ja, ka treguar progres në lëmin e sundimit të ligjit, përfshirë këtu reformat në sistemin gjyqësor. Sa i përket prioritetit të dytë, fushës së mediave, gjithashtu është shënuar progres me dialogun e mëhershëm që kishim me mediat, ne si Qeveri, gjatë ndryshimit të ligjeve përkatëse në këtë lëmi.
Ajo që mbetet për t"u realizuar është rifillimi i bisedimeve me mediat, me qëllim që të tregojë progres edhe në këtë drejtim, në mënyrë që të hapen mundësi për bisedime të drejtpërdrejta në kuadër të Ligjit për mediat.
Fusha e tretë, sa u përket reformave në administratën publike, në raport, si çështje pozitive presim të shënohet iniciativat e Maqedonisë si shtet për ndryshim dhe avancim të standardeve ligjore për administratë publike dhe shërbimet publike.
Gjithashtu, gjatë bisedës me zotin Fyle, marrëdhëniet ndëretnike u notuan si temë e rëndësishme. Ajo që është bërë me raportin rreth implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, shihet si një hap pozitiv në publikimin e atij dokumenti me qëllim që të krijohet një bazë e mirë për avancim të mëtutjeshëm.
Sa i përket prioritetit të katërt, reformave në procesin zgjedhor, presim publikimin zyrtar të raportit të OSBE-së dhe ODIHR-it, dhe njëherësh të detektojmë lëmit ku mund të bëjmë përmirësime në drejtim të reformave.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Besimi, ju posa morët postin për të drejtuar këtë dikaster, kishit një agjendë të ngjeshur, duke u takuar me përfaqësuesit evropianë. E gjithë kjo për të shfrytëzuar lehtësimet që krijoi BE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve, duke lobuar për të ndihmuar vendin rreth zgjidhjes së çështjes së emrit si sfidë. Sa mund të shfrytëzohet kjo periudhë që të gjendet një zgjidhje, një përparim që do të ishte i kënaqshëm, si për Brukselin që të shënojë raport pozitiv, por gjithsesi më shumë për Athinën, të zhbllokojë procesin e integrimit të Maqedonisë?
FATMIR BESIMI
Mund të them se pikërisht kjo do të jetë një nga temat kyçe të Raportit të Progresit të Maqedonisë në drejtim të integrimit në BE. Madje, vizita e fundit në Nju Jork është për t`u përshëndetur, për takimin e negociatorëve të dy vendeve. Ajo që mund të them për momentin është se për procesin është me shumë me rëndësi të dinamizohet komunikimi mes dy vendeve për zgjidhjen e çështjes së emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë me qëllim që të ndërtohet edhe më shumë mirëbesimi mes dy vendeve fqinje, që të mund të gjejmë një zgjidhje të përbashkët.
Sa i përket fqinjësisë së mirë dhe vetë procesit të zgjidhjes së kontestit të emrit, do të ndihmojnë gjithsesi format e komunikimit dhe kontaktet në të gjitha nivelet, nivel ekspertësh, teknik, politik, nivel ministrash madje dhe kryetarë shtetesh.
Unë, si zëvendëskryeministër, kam kërkuar të takohem me përfaqësuesit e të njëjtit nivel me të gjitha vendet fqinje dhe ministrin nga Greqia. Dhe, njëkohësisht gjatë kësaj periudhe sa ka mbetur deri në qershor, do të realizoj një agjendë të ngjeshur me vendet fqinje, por dhe me vendet anëtare të BE-së.
Tashmë është definuar agjenda për një vizitë në Londër, pastaj Dublin, në Irlandë, Gjermani, Francë, Spanjë, Itali dhe në disa vende të tjera të Evropës, të cilat vlerësojmë se mund të ndihmojnë që Maqedonia deri në qershor të tregojë një progres të mirëfilltë me qëllim që në të gjitha këto fusha, të ketë dialog në nivel të lartë, fqinjësi të mirë dhe përparim sa i përket zgjidhjes së kontestit me Greqinë për çështjen e emrit.
RADIO EVROPA E LIRË
Mbase për herë të parë komuniteti ndërkombëtar procesin e fundit zgjedhor e ka cilësuar, thënë kushtimisht, me dozë të lartë optimizmi se Maqedonia synon përmbushjen e kritereve për zgjedhje demokratike, por ka fokusuar kritika sa i përket mungesës së debatit në media, ka apostrofuar ngufatjen e fjalës së lirë. Pse është aq e vështirë që Qeveria të plotësojë këto kritere, sa i përket lirisë së të shprehurit dhe demokratizimit të eterit mediatik?
FATMIR BESIMI
Për momentin, duhet theksuar se ajo që është vlerësuar nga komuniteti ndërkombëtar, është fakti se Maqedonia arriti të realizojë zgjedhje të qeta, efikase dhe konkurruese. Pra, kjo është pjesë e kërkesave që ne, si shtet, arritëm t"i realizojmë besoj në raportin përfundimtar të OSBE dhe ODIHR-it. Do të ketë dhe rekomandime se si mund të avancohet edhe më tutje procesi zgjedhor, që të reflektojë të gjitha standardet e vendeve të zhvilluara të BE-së.
Në këtë drejtim, ne si dikaster që jemi të angazhuar drejtpërdrejt në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, do të vazhdojmë me implementimin e këtyre rekomandimeve. Ditëve në vijim kam thirrur komunitetin që është i angazhuar për reformat zgjedhore, me qëllim që të riaktivizojmë këtë çështje menjëherë pas zgjedhjeve që të bëjmë reformat adekuate, me qëllim që Maqedonia edhe në këtë segment t"i përbushë standardet.
Dua të theksoj se i gjithë ky proces nuk është aspak i lehtë, bëhet fjalë për një proces shumë kompleks që në vete përmban shumë sfida, krahas dokumenteve të shkruara, praktika dhe ambienti ynë politik tregon që ne, si vend, kemi mjaft sfida në këtë proces, por besoj se përkushtimi i vazhdueshëm do të jetë ajo që do të vulosë imazhin e Maqedonisë për integrim në BE.
Më duhet të theksoj edhe një herë se përgjegjësia në këtë drejtim më shumë është e institucioneve. Gjithsesi edhe Qeveria ka një përgjegjësi të madhe derisa të gjitha institucionet duhet të jenë të inkuadruara maksimalisht në këtë proces, për të reflektuar me vepra konkrete se Maqedonia është e përkushtuar maksimalisht në procesin e integrimit.
RADIO EVROPA E LIRË
Sërish do t`i kthehem ndërprerjes së dialogut ndërmjet Qeverisë dhe përfaqësuesve të mediave... Ky afat tremujor, sa lë për të shpresuar se mund të kapërcehen dallimet që ka Qeveria dhe gazetarët sa i përket ligjit të propozuar nga Qeveria për punën e mediave?
FATMIR BESIMI
Me rëndësi është të theksohet se ligji për media do të rregullojë këtë fushë sipas standardeve dhe direktivave të Bashkimit Evropian. Ideja kryesore dhe interesi ynë është që Ministria për Shoqëri Informative dhe Administratë Publike të hapë një debat publik lidhur me ligjin në fjalë.
Vërejtjet që janë bërë nga përfaqësuesit e mediave, përkatësisht kërkesa për një afat më të gjatë për diskutim për ligjin e mediave, si dhe bisedimet që patëm gjatë vizitës me komisarin Fyle, ne shqyrtuam mundësinë që këtij debati të jepeet më shumë kohë që do të mundësojë një kontribut më cilësor, nga ana e institucioneve relevante dhe ashtu do të jetë.
Pra, do të krijohet mundësi për një inkuadrim më të drejtpërdrejtë dhe më intensiv edhe me gazetarët, po edhe drejtuesit e mediave në hartimin e versionit përfundimtar të këtij ligji ashtu siç kërkohet edhe nga gazetarët apo sektori mediatik në Republikën e Maqedonisë, me qëllim që ky dialog të japë një ligj më cilësor, konform standardeve që kërkohen nga BE-ja.
http://www.evropaelire.org/content/article/24957224.html