Intervista
21.8.2019 10:12
A janë vënë në hamendje qytetarët e BE-së? Harruam si ishte jeta, thotë Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, vizitoi Helsinkin për të kërkuar mbështetje për anëtarësim të vendit në BE.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, të enjten vizitoi Helsinkin
Bashkimi Evropian kohëve të fundit nuk ka
marrë lëvdata të mjaftueshme nga vendet e saja anëtare. Britania po përgatitet për
largim, ndërsa nacionalistët në gjithë kontinentin e fajësojnë Unionin për
gjendjen e keqe.
Megjithatë, BE-ja ka një adhurues, dhe nga pikëvrojtimi i tij, ne,
mbështetësit e Unionit, jemi të llastuar.
“BE-ja është projekti më i mirë për gjithë shoqërinë. Ajo i solli paqe dhe
stabilitet kontinentit që ishte i mbushur me urrejtje dhe gjakderdhje. Të mos
flas për zhvillimin ekonomik dhe për mirëqenien njerëzore në BE që kalojnë pa u
vërejtur”, thotë Bujar Osmani, Zëvendëskryeministër i Qeverisë për Çështje
Evropiane në Maqedoninë e Veriut.
“Mendoj që
gjeneratat e reja në vendet e BE-së e kuptojnë pozitën e tyre në Union si diçka
të zakonshme. Ata kanë humbur kontaktin e tyre me vrazhdësitë, konfliktet dhe
nacionalizmin që dominonin në Evropë”
Maqedonia e Veriut, vend i njomë në Gadishullin Ballkanik, synon vetëm
drejt anëtarësimit në BE. Mu për këtë arsye Osmani ndodhet në Helsinki, duke
kërkuar mbështetje nga Kryesia e BE-së për aderimin e vendit të tij.
Vërejtëm se preokupimet me debatin për ardhmërinë e Unionit nuk e
zvogëlojnë entuziazmin e Osmanit
“Derisa një vend po largohet, gjashtë të tjera tani më janë në prag. BE-ja
është shumë më shumë se Bregzit”, thotë ai.
“Unë personalisht jam i asaj gjenerate që kanë përjetuar periudhën e konflikteve në Ballkan dhe akoma kam frikë nga kjo. E ardhmja nuk mund të parashikohet. Do të doja që fëmijët e mi të jetojnë në një vend stabil ku nuk do të brengosen për zhvillimet e së ardhmes."
Maqedonia e Veriut është një vend i vogël ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit që dëshiron ta zë vendin e saj në Evropë. Tingëllon e njohur?
Ky vend, më herët i njohur si Maqedoni, kërkon aderim në BE që nga viti 2005, por rruga është jashtëzakonisht e gjatë dhe plot pengesa.
Me vite të tëra ëndrra ishte e parealizueshme për arsye të kontestit të pazakontë rreth emrit: Greqia, vend fqinj, nuk e pranoi emrin Republika e Maqedonisë, e cila u pavarësua nga Jugosllavia në vitin 1991, por territorin e vetë e llogariste si Maqedoni të vërtetë dhe të vetme.
Kontradikta mund të tingëllojë si e parëndësishme për ndonjë të huaj, por
sipas fjalëve të Osmanit, bëhet fjalë për “çështje shumë të ndejshme”. Kështu,
Greqia e shfrytëzoi të drejtën e saj të vetos edhe në BE edhe në aleancën e NATO-s
dhe e bllokoi anëtarësimin e fqinjit të saj.
Konflikti u zgjodh vitin e kaluar kur u arrit kompromisi për ndryshimin e
emrit të shtetit në Maqedoni të Veriut.
“Nuk ishin të gjithë të kënaqur nga zgjidhja, por zgjidhje tjetër nuk
kishim. Ose do ta zgjidhnim problemin e vështirë dhe do të hapnim rrugën që
vendi ynë të ecë përpara, ose do të mbeteshim të mbërthyer në të kaluarën.”
Ndryshimi kërkon maturi më të madhe dhe kufizim nga ana e politikanëve.
“Ne akoma themi Maqedoni në bisedat tona të përditshme, por në kontekste zyrtare jemi shumë preciz rreth emrit sepse kjo është temë e ndjeshme”.
Emri i ri menjëherë solli fryt: në shkurt Maqedonia e Veriut morri ftesë
për anëtarësim në NATO. Vendimi për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE,
duhej të merrej në qershor, por ky vendim u shty deri në tetor.
Finlanda mbështet fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, por procesi kërkon konfirmim nga të gjitha vendet anëtare.
Qytetarët e Maqedonisë në veçanti mbështesin anëtarësimin në BE. Sipas
Osmanit, ëndrra për BE është si një lidhje që lidh grupet të cilat përndryshe diferencohen.
Pa këtë lidhje, grupet e ndryshme etnike do të ktheheshin njëra kundër tjetrës.
Anëtarësimi eventual në BE është gjithashtu adut për Qeverinë, kryesuar nga e majta-qendrore LSDM, që mundëson zbatimin e reformave juridike.
“Në përgjithësi në Ballkan është trend konservatorizmi, nacionalizmi dhe tjetërsimi.
Në Maqedoninë e Veriut elita e tanishme politike vendosi ti kundërvihet kësaj, edhe
krahas opinionit publik", shpjegon Osmani.
“Ne krijuam kulturë të kompromisit në një vend që nuk është i njohur për kompromis.
Nëse nuk shpërblehet mundi, për shembull, nëse vendimi është negativ në tetor, kjo
do të thoshte vetëvrasje politike. Gjithashtu, kjo do të ishte inkurajim për
nacionalistët e Ballkanit për të vazhduar me punën e tyre. Mendoj që BE-ja nuk
e dëshiron këtë."
Osmani gjithashtu beson se do të ishte në interes të sigurisë së brendshme të BE-së kyçja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union.
Atëherë, çka është ajo që e vështirëson anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut?
Sipas Ministres për Çështje Evropiane të Finlandës Tuti Tupuranien, ka një barrierë të madhe në rrugë: korrupsioni.
Republika e Maqedonisë së Veriut gjatë pavarësisë së saj, ishte lartë në
listën e statistikës ndërkombëtare të korrupsionit. Shumë personalitete të
larta janë të involvuara në skandale. Madje edhe Osmani është vendosur në këtë
kontekst.
Megjithatë, rrjedha e ngjarjeve shkon mirë. BE-ja një kohë të gjatë po e ndjek
Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe raportet tregojnë së vendi ka arritur
progres të rëndësishëm në përmirësimin e administratës dhe gjyqësorit.
Po ashtu, skandali më i madh i fundit për mitmarrje, i zbuluar në qershor,
ishte goditje e rëndë për aspiratat e BE-së të një vendi të vogël.
„Po minohet e gjithë puna që po e bëjmë“, tha Osmani.
„Ekziston ende një hendek mes ligjeve dhe implementimit të tyre në praktikë. Çmontimi
i një sistemi të vjetër të korruptuar dhe joefikas nuk është i lehtë”.
Osmani, po ashtu, shikon me optimizëm. Nëse sistemi gjyqësor në vend është në gjendje t'i hetojë akuzat dhe t'i nxjerr fytyrat e vërteta para drejtësisë, ky është një tregues për pjekurinë e institucioneve.
“Kjo krizë duket si tentim i qëllimshëm para vendimit të BE-së" - thotë Osmani.
“Inkurajojmë gjyqësorin që t'i shqyrtojë të gjitha hetimet, pa marrë
parasysh se ku çojnë. Edhe nëse gjurmët arrijnë deri tek pushteti më i lartë,
të gjithë duhet t'i bartin pasojat e veprimeve të tyre. Vetëm kështu mund të
tregojmë se vendi ynë është i gatshëm.”