Lajme
02.3.2015 14:04
Zëvendëskryeministri i Qeverisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Dr. Fatmir Besimi, sot mbajti fjalim në prezantimin e Strategjisë së Evropës Juglindore 2020: Vende pune dhe prosperitet në perspektivë Evropiane”, në të cilën morën pjesë përfaqësues të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Besimi shprehu mirënjohjen e tij ndaj ekspertëve të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe OECD për mbështetjen e tyre të vazhdueshme në procesin e zbatimit të Strategjisë.
Ai theksoi se institucionet nacionale në Republikën e Maqedonisë mbeten tërësisht të përkushtuara në plotësimin e objektivave të përcaktuara në këtë strategji të rëndësishme rajonale, me qëllim të përmirësimit të klimës ekonomike dhe sociale, si dhe zbatimit të reformave strukturore që janë kyçe për konkurrencën.
Zbatimi i aktiviteteve lidhur me Strategjinë e Evropës Juglindore 2020 do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së një ekonomie funksionale të tregut në Republikën e Maqedonisë, e cila në afat të mesëm do të mundësojë që vendi ynë të ballafaqohet me sukses me konkurrencën e tregut të vetëm evropian. Nga ky aspekt, Besimi theksoi se ruajtja dhe përmirësimi i ekonomisë funksionale të tregut është prioritet kyç nacional në fushën e integrimit evropian.
Republika e Maqedonisë bën përpjekje serioze në forcimin e kapaciteteve të institucioneve për absorbimin më të mirë të IPA fondeve që paraqesin mbështetje kyçe për vendet kandidate për anëtarësim në BE. Gjegjësisht, programi shumë-përdorues i BE-së është shumë i rëndësishëm për shkak se ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe forcimin e shkëmbimit të kulturave dhe njohurive në mes vendeve shfrytëzuese, si dhe mbështetjen e iniciativave me interes të përbashkët.
Së fundi, Besimi theksoi se zbatimi i suksesshëm i objektivave të Strategjisë së Evropës Juglindore 2020 do të rezultojë në integrim më të madh ekonomik me rajonin dhe BE-në.