Lajme
22.10.2014 16:05
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Fatmir Besimi, sot kishte debat të hapur me përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të mediave. Në debat morën pjesë përfaqësues të Këshillit për Etikë të Mediave, Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatës së Gazetarëve, Qendrës për Zhvillim të Mediave, Institutit të Mediave të Maqedonisë, Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele, si dhe përfaqësues të Ministrisë për Administratë dhe Shoqëri Informatike dhe të Ministrisë së Drejtësisë.
Tema kryesore të diskutimit në debatin e sotëm të hapur, ishin gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë për vitin 2014, në pjesën e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave.
Krahas marrjes së edhe një rekomandimi pozitiv për fillimin e negociatave nga ana e Komisionit Evropian, Raporti i sivjetmë thekson edhe nevojën e punës së mëtutjeshme dhe angazhimin serioz në fushën e lirisë së shprehjes, por edhe i përshëndet konsultimet e gjëra publike me organizatat e vendit dhe ndërkombëtare lidhur me këtë çështje, gjegjësisht diskutimin e gjerë gjatë sjelljes së ligjeve për media dhe shërbime audio dhe audio-vizuele. Njëherësh, Zëvendëskryeministri Besimi theksoi se, siç është potencuar në Raport, një prej arritjeve është edhe vendosja e trupit vetë-rregullator siç është Këshilli për etikë për mediat.
Gjatë debatit u potencua nevoja e sigurimit të pavarësisë më të madhe financiare të shërbimit publik radiodifuziv, RTVM. Gjithashtu, u theksua shpallja publike e të dhënave për reklamimin qeveritar nga ana e Qeverisë, me çka kontribuohet në rritjen e transparencës në proces, dhe u potencua nevoja e transparencës dhe objektivitetit lidhur me kriteret. U diskutua edhe rënia e numrit të padive për shpifje dhe ofendim, si rezultat i dekriminalizimit të shpifjes dhe ofendimit, dhe gjithashtu u potencua nevoja për sjelljen e kulturës së gjetjes së zgjidhjes jashtë sistemit gjyqësor për rastet e shpifjes dhe ofendimit. U theksua se ekspertë të misionit TAIEX të BE-së, kanë qenë prezent në Maqedoni dhe nga ana e tyre është shqyrtuar implementimi i Ligjit për përgjegjësi civile për shpifje dhe ofendim, dy vite pas sjelljes së tij dhe hapat e mëtejmë që duhet të ndërmerren. Gjithashtu u theksua se është në rrjedhë edhe realizimi i projekteve IPA, me interes për mediat dhe lirinë e të shprehurit, me qëllim të avancimit po ashtu edhe të legjislacionit .
Të pranishmit u dakorduan se në pjesën e lirisë së shprehjes dhe mediave është e nevojshme të punohet bashkërisht, me qëllim që të arrihen zgjidhje konkrete, me ç’rast Zëvendëskryeministri i Qeverisë shtoi: “Duhet të punojmë së bashku që t’i tejkalojmë mangësitë. Vetëm përmes partneritetit mund të shënojmë progres... pikërisht kësaj i dedikohet debati i hapur i sotëm me shoqatat dhe organizatat e mediave dhe të gjitha debatet e deritanishme të organizuara nga ana e Sekretariatit për Çështje Evropiane me veprues të ndryshëm shoqërorë” – përfundoi Zëvendëskryeministri Besimi.
Në fund, Zëvendëskryeministri i ftoi të pranishmit që të dorëzojnë propozime për adresimin e gjetjeve të Raportit të KE-së deri në Sekretariatin për Çështje Evropiane, më së voni deri më 1 nëntor 2014.