Lajme
16.10.2014 14:50
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, pati sot një takim pune me Ministrin e Drejtësisë, Adnan Jashari, Kryetaren e Gjykatës Supreme, Lidija Nedellkovska, Kryetaren e Këshillit Gjyqësor, Aleksandra Zafirovska dhe Drejtoren e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, Aneta Arnaudovska.
Në fillim të takimit Zëvendëskryeministri theksoi se “është i rëndësishëm përkushtimi i përbashkët në adresimin e të gjitha rekomandimeve të Raportit lidhur me gjyqësinë, me qëllim të përforcimit të pavarësisë së gjyqësisë si dhe përmirësimin e cilësisë dhe transparencës së proceseve gjyqësore. Me këtë do të kontribuohet në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor në Republikën e Maqedonisë ... me diskutimin e sotëm as nuk fillon e as nuk përfundon procesi reformues në gjyqësi, por është i rëndësishëm për përforcimin e koordinimit të përbashkët për ndërmarrje të aktiviteteve konkrete që do të kontribuojnë në proces” – tha Besimi.
Gjatë diskutimit, fokusi u vendos në gjetjet e Raportit të progresit për Republikën e Maqedonisë për vitin 2014, në fushën e sistemit gjyqësor, posaçërisht në aspektin e përmirësimit të pavarësisë, profesionalizmit dhe transparencës së gjyqësisë si dhe kualitetit të qasjes në drejtësi.
U diskutua edhe për misionin e ekspertëve TAEKS, që realizohet në bashkëpunim me Komisionin Evropian, dedikuar përsosjes së mëtutjeshme të kuadrit ligjor dhe institucional me të cilin rregullohet emërimi, shkarkimi, procedura e përgjegjësisë disiplinore të gjykatësve dhe arsyetimi i vendimeve të gjykatës.
Mes tjerash, u potencua se për përmirësimin e sistemit gjyqësor në kuadër të IPA 1, në periudhë prej 2007 – 2013, janë përgatitur gjithsej 15 projekte në vlerën rreth 17 milion euro. Shfrytëzues të fundit të këtyre mjeteve përveç Ministrisë së Drejtësisë janë edhe Gjykata Administrative, Akademia e Gjykatësve dhe Prokurorëve Publik, Këshilli Gjyqësor i Republikës së Maqedonisë, Këshilli i Prokurorëve Publik, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, Prokuroritë Publike dhe të gjitha institucionet tjera gjyqësore.
Të pranishmit diskutuan edhe për masat dhe aktivitete plotësuese të cilat do të kontribuojnë në përmirësimin e mëtutjeshëm të kësaj fushe.