Lajme
30.9.2014 16:16
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi, sot mori pjesë në konferencën “Kapitull i ri për integrimet e Shqipërisë në BE-në e ndryshueshme: Sfidat pas marrjes së statusit kandidat dhe politikat e zgjerimit nën presidencën italiane”.
Në fjalën e tij, Besimi theksoi se integrimet në Bashkimin Evropian janë prioritet kyç për çdo vend të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për arsye se vendet tona janë gjeografikisht pjesë e Evropës por edhe për shkak se Evropa luan rol të rëndësishëm dhe mbështet vendet tona në reformat që i zbatojmë, në transformimin e shoqërive tona, në përforcimin e vlerave demokratike dhe zhvillimin ekonomik, duke pas parasysh se vendet tona ballafaqohen me shumë sfida në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.
Besimi shtoi se marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore janë me domethënie thelbësore për sigurimin e progresit për aderim në BE dhe prandaj Republika e Maqedonisë është e përkushtuar në përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve me vendet fqinje, si dhe në thellimin e bashkëpunimit me vendet e rajonit. Bashkëpunimi rajonal është me domethënie vitale dhe luan rol të rëndësishëm në përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për aderim në BE – tha Besimi.
Mes tjerash, ai theksoi se me vlerat autentike dhe të përbashkëta që i kanë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me promovimin e tyre, mundemi më mirë t’i prezantojmë interesat tona politike dhe ekonomike, në vendet e Bashkimit Evropian. Mundësitë dhe përfitimet nga bashkëpunimi i ndërsjellë, përparësitë nga pozicionimi gjeografik dhe lidhjet infrastrukturore, ekonomia komparative dhe karakteristikat natyrore të këtyre vendeve, e bëjnë të domosdoshëm bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.
Besimi në Konferencë duke diskutuar për përvojën e Maqedonisë në implementimin e axhendës së BE-së, potencoi se këtë vit u shënua dhjetëvjetori i fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe se vendi ynë vitin që shkoi mori rekomandimin e pestë me radhë për fillimin e negociatave me BE-në, e krahas kësaj u soll edhe një dinamikë e re në zbatimin e reformave përmes fillimit të Dialogut Aderues të Nivelit të Lartë (HLAD). Ai shtoi se gjatë këtyre viteve, me punë të përkushtuar u arrit progres i rëndësishëm në implementimin e reformave në fusha të rëndësishme siç janë gjyqësia, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, liria e të shprehurit, reformat zgjedhore, reformat në administratën publike etj.
Gjithashtu, Besimi theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik dhe është fuqi kryesore lëvizëse e cila na frymëzon që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në zbatimin e reformave dhe evropeizimin e vendit dhe shoqërisë tonë. Në fund të fjalës së tij, Besimi citoi Konrad Adenauerin, njërin nga themeluesit e BE-së i cili ka thënë: “Bashkimi Evropian ishte vetëm ëndërr e disa personave. Sot ajo është një domosdoshmëri për të gjithë ne”.
Në margjinat e Konferencës, Zëvendëskryeministri Besimi u takua me Ministren e Integrimeve Evropiane z-nj. Klajda Gjosha.
Pas përfundimit të Konferencës Zëvendëskryeministri Besimi realizoi takime edhe me Zëvendëskryeministrin e Shqipërisë z. Niko Peleshi, dhe Ministrin e Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati, ku biseduan për arritjet e dy vendeve në procesin e eurointegrimeve dhe rëndësinë e integrimit sa me të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.