Lajme
17.9.2014 12:37
Në prag të Raportit të vjeshtës dhe në kuadër të EU Agjendës 2014 të Sekretariatit për Çështje Evropiane, zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane, Dr. Fatmir Besimi, i shoqëruar nga të punësuarit e sektorëve për IPA dhe Eurointegrime realizoi vizitë pune në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës ku u takua me ministrin Abdylaqim Ademi dhe përfaqësues të kësaj ministrie.
Në takim u bisedua për shkallën e përgatitjes së akteve ligjore dhe nënligjore me qëllim të harmonizimit të legjislacionit nacional me të drejtën e Bashkimit Evropian në fushën e shkencës, hulumtimit, arsimit dhe kulturës.
U diskutua edhe realizimi i aktiviteteve për miratimin e Programit Nacional për arsim të lartë dhe veprimtari shkencore-hulumtuese 2014-2018, si dhe Miratimi i Strategjisë për arsim sipërmarrës 2014-2020, me planin akcional. Qasja e barabartë dhe arsimimi cilësor me rekomandime për ndihmë dhe zhvillim të ardhshëm ishte gjithashtu temë e bisedimeve.
U bisedua edhe për shfrytëzimin e mjeteve të cilat qëndrojnë në dispozicion përmes Instrumentit për Ndihmë Para-aderuese – IPA dhe të cilat janë kyçe për realizimin e reformave në arsim. Numri i gjithsejtë i propozim projekteve nga Komponenta e IV e IPA-s për zhvillim të resurseve njerëzore është 14 projekte për periudhën 2007-2013 me shumë prej 55 milion eurosh, nga të cilat për aksin prioritar për arsim, rreth 20 milion euro. Në kuadër të Komponentës 1 – TAIB, Ministria për Arsim dhe Shkencë ka lidhur marrëveshje në shumë prej rreth 2 milion eurosh.
U shqyrtuan edhe mënyrat për rritjen e dukshmërisë së programeve të Unionit në dispozicion të Republikës së Maqedonisë siç janë: Horizont 2020, Erazmus plus dhe Evropa për qytetarët, ku shfrytëzues varësisht prej programeve, mund të jenë universitetet, shkencëtarët, sektori privat, shoqëria civile e të tjerë.
Besimi theksoi se shfrytëzimi i fondeve evropiane për projektet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është e rëndësishme për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe për përafrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Cikli i vizitave punuese “BE-IPA Koordinime Institucionale” të zëvendëskryeministrit Besimi do të vazhdojë edhe me institucionet tjera shfrytëzuese të fondeve IPA dhe implementuesve të NPAA, me qëllim të informimit të drejtpërdrejtë për të gjitha aspektet e shfrytëzimit të këtyre fondeve, duke pasur parasysh çështjet e programimit, zbatimit teknik, monitorimit, njoftimit, plotësimit të parakushteve për implementim të suksesshëm të projekteve/programeve, si dhe aspektet e sistemit për menaxhim, kapacitetet institucionale dhe administrative, respektimin e procedurave për shfrytëzim të këtyre mjeteve, funksionimin e mekanizmave koordinuese si dhe shqyrtimin e statusit të realizimit të aktiviteteve të parapara me NPAA.