Lajme
15.7.2014 16:29
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Dr. Fatmir Besimi, qëndron për vizitë dyditëshe në Bruksel. Sot ai u takua me Sekretarin e Përgjithshëm Ekzekutiv të Shërbimit Evropian për punë të jashtme, zotin Pjer Vimont si dhe drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Shërbimit Evropian për punë të jashtme, zotin Fernando Xhentilini.
Në takime u bisedua për procesin e integrimit të Republikës së Maqedonisë si dhe për progresin e fundit të vendit në drejtim të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Zëvendëskryeministri i Qeverisë përsëriti përkushtimin ndaj integrimit evropian duke theksuar se kjo mbetet prioritet strategjik i qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë. Ai informoi se Maqedonia vazhdon të punojë në reformat dhe zbatimin e prioriteteve që dalin nga Raporti i progresit dhe nga konkluzionet e Këshillit të Evropës kurse ndiqen përmes Planit Aksionar i cili përfshin masa dhe aktivitete me qëllim të adresimit të prioriteteve siç janë reformat në gjyqësi dhe gjyqësi të pavarur si dhe forcimin e besimit në institucionet, të drejtat e njeriut, liria e të shprehurit, marrëdhëniet e mira ndëretnike si dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.
Në bazë të kësaj Besimi theksoi se presim që progresi i vendit të vlerësohet në Raportin e progresit të vjeshtës nga Këshilli Evropian.
Besimi potencoi se integrimi evropian është i rëndësishëm për integrimin e brendshëm dhe rajonal dhe se situata e statusit quo është e paqëndrueshme për Maqedoninë si dhe për stabilitetin e tërë rajonit.
Zëvendëskryeministri Besimi informoi se Republika e Maqedonisë është e hapur dhe e gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për çështjen e emrit me Republikën e Greqisë.
Në këtë drejtim, Zëvendëskryeministri Besimi kërkoi përkrahje nga BE dhe institucionet e saj në lehtësimin e dialogut për çështjen e hapur me Greqinë, me qëllim të përshpejtimit të procesit të integrimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian, si dhe për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e BE-së në implementimin e reformave para fillimit zyrtarisht të bisedimeve për anëtarësim përmes zgjidhjeve dhe mekanizmave kreative në kuadër të bashkëpunimit aktual institucional.
Tema bisede ishin dialogu politik me opozitën dhe marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkërisht u konstatua se është e rëndësishme që Maqedonia të tregojë kapacitet dhe me sukses të menaxhojë situatën sepse kjo ka ndikim në procesin e integrimit Evropian të Republikës së Maqedonisë.
Në takim u bisedua edhe për procesin e integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor ku Zëvendëskryeministri Besimi theksoi rëndësinë që Zgjerimi i BE-së të jetë prioritet i përbërjes së re të Komisionit Evropian.