Lajme
06.2.2014 17:06
Zëvendëskryeministri i Qeverisës së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane, Dr. Fatmir Besimi, sot realizoi takim me drejtorin e ri të Drejtoratit Gjeneral për zgjerim të Bashkimit Evropian. Në takim gjithashtu ishte prezent edhe shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Maqedoni, ambasadori Aivo Orav.
Pikat kryesore që u diskutuan në takim ishin niveli i realizimit të reformave të parapara sipas Dialogut Aderues të Nivelit të Lartë (HLAD), shfrytëzimi i IPA fondeve 2007 – 2013, vendosja e IPA 2 dhe hapat e radhës që duhet ndërmarr për plotësimin e prioriteteve për integrim evropian.
Zëvendëskryeministri Besimi e potencoi rolin kyç që ka Dialogu Aderues i Nivelit të Lartë në zbatimin e reformave dhe kërkoi që i njëjti të vazhdojë edhe në periudhën në vazhdim, me qëllim të mbajtjes së tempos së procesit reformues. Ai shtoi se vazhdojnë përpjekjet për avancimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me Greqinë dhe Bulgarinë rreth çështjeve të hapura. “Miratimi konsensual e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, sjellja e ligjeve reformuese në pjesën e administratës publike si dhe harmonizimi i kornizës ligjore për media sipas kërkesave të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë janë gjithashtu një pjesë e rëndësishme e reformave” – theksoi Besimi duke shtuar se grupet e punës në Kuvendin e RM, punojnë në mënyrë aktive në implementimin e reformave që janë të parapara me Dialogun Aderues.
Drejtori i Drejtoratit Gjeneral për zgjerim të BE-së, Danielson e përshëndeti përparimin e shënuar në plotësimin e prioriteteve për integrime evropiane, gjegjësisht konsensusin e arrirë mes partive politike për ndryshimet e sjella në Kodin Zgjedhor, që paraqet një hap të rëndësishëm në këtë periudhë kur jemi në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe gjithashtu e përshëndeti edhe përparimin e dialogut me gazetarët dhe sjelljen e ndryshimeve në Ligjin për media.
Mes tjerash në takim u bisedua edhe për koordinimin e përgjithshëm të shfrytëzimit të IPA fondeve dhe për mënyrat e përmirësimit të shkallës së shfrytëzimit të të njëjtave. Besimi gjithashtu theksoi se Qeveria dhe Komisioni Evropian punojnë në përcaktimin e programit për shfrytëzim të 600 milion eurove shtesë nga IPA 2014-2020, të cilat do të jenë të dedikuara për asistencë teknike dhe projekte investuese në pajtim me procesin eurointegrues.