Lajme
16.12.2013 13:38
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për çështje evropiane Fatmir Besimi, sot qëndroi për vizitë pune në Bruksel ku realizoi takime me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, drejtorin e Drejtoratit për Zgjerim, Kristijan Daniellson dhe me sekretarin gjeneral të Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), Pjer Vimont.
Besimi në këto takime ka përsëritur përkushtimin e Maqedonisë për integrim euroatlantik që është edhe qëllimi strategjik i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, por nga bashkëbiseduesit i është bërë e ditur qartë se nuk ka konsensus në Union që vendi ynë të merr datë për fillimin e negociatave për anëtarësim gjatë Samitit të Këshillit Evropian, që do të mbahet më datën 19 të këtij muaji.
- Ne nuk duam të krijojmë pritje joreale lidhur me atë se a do të merr Maqedonia datë nga Këshilli Evropian në Samitin e radhës. Realisht, në këtë situatë kur akoma nuk është zgjidhur çështja e emrit me Greqinë dhe kur kemi çështje të hapur me Bullgarinë, nuk ekziston konsensus nga të gjitha vendet anëtarë të Bashkimit Evropian për marrjen e datës për fillim të negociatave, deklaroi Besimi për Agjencinë Informative të Maqedonisë (MIA).
Sipas Zëvendëskryeministrit të Maqedonisë për euro-integrime, me rëndësi është që nga konkludimet pritet të ketë një dinamikë në reforma për periudhën në vijim dhe çështja e emrit dhe marrëdhëniet e mira ndër-fqinjësore të jenë pjesë e konkluzioneve, që do të thotë se kjo do të jetë një përkrahje politike për Maqedoninë në këtë proces, për të treguar përparim, pa dallim që në BE nuk ekzistojnë mekanizma se si të ndikohet në zgjidhjen e një kontesti të një vendi anëtar dhe një vendi që nuk është anëtar në BE.
- Kjo është përkrahje politike dhe një dritare që Euro-komisioni të angazhohet më tepër rreth çështjes së emrit dhe rreth çështjeve të hapura me vendet fqinje. Gjegjësisht, me përfshirjen e komunitetit ndërkombëtar, vendeve anëtare të BE-së apo të institucioneve evropiane që disi të ndihmojnë në proces, nuk kërkojmë që ta zgjedhin sepse zgjidhjen duhet ta gjejmë vet ne me Greqinë, por ato mund të ndihmojnë dhe është shumë e rëndësishme që ato të jenë të kyçura në këtë proces. Kemi shembuj të suksesshëm në rajon ku palë të treta ishin të involvuara në zgjidhjen e kontesteve bilaterale dhe ato u zgjodhën, p.sh. siç është rasti i Sllovenisë dhe Kroacisë dhe rasti i Serbisë me Kosovën. Këto modele duhet të shërbejnë si shembull në rastin e Maqedonisë që të mund të tregojmë një përparim, shton Besimi.
Sa i përket vizitës së tij në Bruksel, Besimi nuk fsheh se përkon me periudhën kur përgatiten konkluzionet për Samitin e dhjetorit të Këshillit Evropian që kanë të bëjnë me zgjerimin e Bashkimit Evropian gjë që tangon edhe Republikën e Maqedonisë. Ai thotë se është e rëndësishme që kjo periudhë të shfrytëzohet për të diskutuar lidhur me përmbajtjen, edhe pse dokumenti me konkludimet përgatitet nga vendet anëtare, Zëvendëskryeministri i Qeverisë thotë se në mënyrë miqësore dhe të hapur ai ka biseduar me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së lidhur me atë se çfarë pret vendi ynë nga konkludimet dhe çfarë do të ishte e dobishme për periudhën e ardhshme.
E rëndësishme është që edhe këtë vit Maqedonia ka një rekomandim të qartë nga Komisioni Evropian për fillimin e negociatave aderuese. Me rëndësi është që konkludimet të vënë në dukje dinamikën e realizimit të procesit në periudhën në vazhdim. Këtu nënkuptohet Dialogu Aderues i Nivelit të Lartë (HLAD) dhe fushat prioritare që do të përfshiheshin në periudhën që vijon si dhe dinamika e caktuar për realizimin e këtyre aktiviteteve. Komisioni Evropian do të informojë për të gjitha këto e po ashtu këto do të jenë pjesë e diskutimit të Këshillit të BE-së gjatë vitit të ardhshëm, nisur nga agjenda e reformave e deri tek marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore me Greqinë dhe Bullgarinë, theksoi Besimi.
Zëvendëskryeministri mes tjerash tha se si vazhdimësi e gjithë aktivitetit të Qeverisë, gjatë kësaj periudhe ai ka realizuar më shumë institucione dhe ka realizuar takime në të cilat ai ka prezantuar të gjitha që Republika e Maqedonisë ka bërë në periudhën mes Raportit të Komisionit dhe të Samitit të Këshillit të Evropës, me qëllim të përforcimit të argumenteve për nisjen e negociatave. Ai ka informuar lidhur me reformat në Kodin zgjedhor, që sipas Besimit, duhet të miratohen me qasje konsensuale të partive politike në vend, ndërkaq duhet të jenë në pajtueshmëri me rekomandimet e OSBE-së
- Sa i përket dialogut me gazetarët theksuam përpjekjet që po i bëjmë rreth të njëjtit dhe përpjekjet tona rreth lirisë së shprehjes. Ndërkaq sa i përket implementimit të rekomandimeve që dalin nga Dialogu i marsit, nga këtë takime u bë e ditur se pritjet janë që në këto sfera Maqedonia duhet të tregojë progres. Gjithashtu, pritet që vendi ynë të vazhdojë të investojë në përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, si shtyllë stabiliteti dhe zhvillimi në vend, shton Zëvendëskryeministri i Qeverisë.
Në takimin e sotëm me drejtorin e Drejtoratit për zgjerim të BE-së, Daniellson, Besimi ka ngritur çështjen rreth qëndrimit të Maqedonisë se vendi duhet të hyjë në projektin e Unionit sa i përket programit Adriatik-Jon për zhvillim rajonal, ku për momentin vetëm Maqedonia nuk bën pjesë. Ai thotë se ka përjashtime dhe insistohet në atë se Maqedonia duhet të jetë pjesë e programeve sepse, kështu do t’i ndihmohet vendit edhe për rritje ekonomike, por edhe do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të rajonit.
- Mesazhi kryesor që donim të përcjellim gjatë kësaj vizite është se për Maqedoninë perspektiva euroatlantike është alternativa më e mirë dhe vendi nuk ka dilema lidhur me perspektivën evropiane, ndaj angazhimi rreth Unionit mbetet i fuqishëm në vend e po të njëjtën presin edhe qytetarët e Maqedonisë. Pavarësisht rezultateve rreth marrjes së një date apo jo nga ana e Këshillit, e rëndësishme është që të angazhohemi në zbatimin e reformave dhe këto janë përpjekjet tona sepse, mekanizmat ekzistuese siç është Dialogu Aderues i Nivelit të Lartë, që nuk është zëvendësim për negociata formale, megjithatë paraqet një mekanizëm me të cilin në mënyrë më intensive punojmë në zbatimin e reformave dhe në këtë mënyrë koha e negociatave shkurtohet, e kështu Maqedonia përmes HLAD-it mund të realizojë reforma që janë të rëndësishme për vendin, deklaroi Zëvendëskryeministri për eurointegrime.
Besimi konfirmoi se Bashkimi Evropian është qëllim strategjik qartë i definuar, jo vetëm si konstatim politik por edhe si përcaktim strategjik, me përkrahje të shumicës së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Ai shtoi se Qeveria e Maqedonisë do të punojë në zbatimin e reformave me agjendë intensive e cila bashkërisht me Komisionin Evropian do të definohet pas Samitit të Këshillit.
Ngelim të hapur edhe për gjetjen e një zgjidhjeje rreth çështjeve të hapura me fqinjët tanë. Këto janë tre mesazhet që dërgova këtu dhe ajo që mund të sublimojmë nga takimet është se në kontekst të Republikës së Maqedonisë, perspektiva euro-atlantike është temë që i afron dhe bashkon të gjithë qytetarët e vendit, pa dallim të përkatësisë së tyre etnike dhe religjioze. Temë që i vendos në të njëjtën anë gjithashtu edhe vendet tjera të rajonit, ndaj është e rëndësishme për Maqedoninë dhe për rajonin dhe për BE-në që e gjithë kjo të ketë sukses – përfundon Besimi.
Vizita e Zëvendëskryeministrit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë sot, përkon me takimin e djeshëm të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së në të ashtuquajturin Grupi “KOREPER”, të cilët do të përgatisin draft konkluzionin e fundit rreth vendit tonë dhe për të cilin do të vendosin ministrat e punëve të jashtme të vendeve të Unionit, të martën, në kuadër të Këshillit për Çështje të Përgjithshme (GAK), kur dhe përfundimisht do të dihet se çfarë ka konkluduar Këshilli Evropian lidhur me Maqedoninë.