Lajme
02.10.2024 01:45
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, realizoi takim me Ambasadorin e sapoemëruar të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Denion Meidani, në të cilin u shqyrtuan çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë integrimin evropian, bashkëpunimin bilateral, Planin e Rritjes së KE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe rëndësinë e IPA projekteve për të dyja vendet.
Në lidhje me projektet e IPA-s, Murtezani dhe Meidani riafirmuan angazhimet për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta në kuadër të Instrumentit të Ndihmës Para-Aderuese. U theksua se projektet e mbështetura nga IPA janë mekanizëm kyç për përforcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në fusha të tilla si sundimi i së drejtës, zhvillimi ekonomik dhe reformat në administratë. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për koordinim edhe më të ngushtë në drejtim të implementimit më efikas të këtyre projekteve me qëllim të integrimit më të madh të Ballkanit Perëndimor në hapësirën ekonomike dhe politike evropiane.