Lajme
24.9.2024 02:30
"Jemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e reformave të nevojshme për të transformuar shoqërinë tonë në përputhje me rregullat dhe standardet e BE-së, veçanërisht në katër fushat kyçe të sundimit të së drejtës."
Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Bruksel mori pjesë në takimin zyrtar të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian (GAK). Kjo është hera e parë që Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria dhe Serbia të përfshihen në Raportin e Komisionit Evropian për sundimin e së drejtës, duke ju ofruar mundësinë ministrave të vendeve kandidate në mjedis gjithëpërfshirës, së bashku me ministrat e vendeve anëtare të Unionit, të shkëmbejnë mendime për çështjet lidhur me sundimin e së drejtës.
Ministri Murtezani, në takim, përshëndeti vendimin për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në Mekanizmin e BE-së për sundimin e së drejtës, i cili do të sigurojë rrugë të qartë për ndjekjen dhe vlerësimin e progresit tonë drejt harmonizimit me standardet e BE-së, duke siguruar që ne i përmbushim përcaktimet demokratike dhe përcaktimet për sundimin e së drejtës të domosdoshme për anëtarësim në Union.
"Përfshirja jonë në Mekanizmin e BE-së për sundimin e së drejtës shënon një hap kritik në integrimin tonë të përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Duke shikuar përpara, kërkojmë pjesëmarrjen e plotë të vendeve kandidate në këtë mekanizëm, duke përfshirë rekomandimet e detajuara dhe monitorimin, të cilat do të kontribuojnë në harmonizimin e shpejtë me standardet evropiane. Kjo jo vetëm që do të përmirësojë kornizën tonë për sundimin e së drejtës, por edhe do të lehtësojë integrimin më të thellë në menaxhimin e sistemit ekonomik evropian -dy procese të cilat medoemos duhet të zhvillohen ndërthorazi", tha Murtezani.
Në vazhdim fjalimi i MÇE Murtezanit në GAK:
Fjalimi i MÇE Orhan Murtezani, në takimin zyrtar të Këshillit për Çështje të Përgjithshme
më 24 shtator të vitit 2024, në Bruksel
I nderuar Kryetar, të nderuar Kolegë,
Do të doja të filloja duke shprehur mirënjohjen time personale si dhe të qeverisë sime, ndaj Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, për njohjen e këtij momenti kritik dhe ftesën për të marrë pjesë në këtë takim të rëndësishëm të Këshillit për Çështje të Përgjithshme.
Duke pranuar rëndësinë e thellë të reformave të sundimit të së drejtës, kemi mbështetur vazhdimisht përfshirjen tonë në Mekanizmin e BE-së për sundimin e së drejtës. Sot, mirëpresim ngrohtësisht vendimin për përfshirjen e Maqedonisë së Veriut në këtë kornizë, i cili është komponent kyç i metodologjisë së re për aderim. Ky mekanizëm do të na ofrojë një rrugë të qartë, për të monitoruar dhe vlerësuar progresin tonë drejt harmonizimit me standardet e BE-së, duke siguruar që të përmbushim standardet demokratike dhe të sundimit të së drejtës, i nevojshëm për anëtarësimin e plotë.
Që nga pavarësia jonë në vitin 1991, Maqedonia e Veriut ka qëndruar e palëkundur në prioritetin e saj strategjik, për hyrje në Bashkimin Evropian. Asnjhërë nuk ka pasur lëkundje në përkushtimin tonë. Kemi aplikuar për anëtarësim në vitin 2004, morëm statusin e kandidatit në vitin 2005, dhe në mars të vitit 2020, Këshilli miratoi vendimin për hapjen e negociatave të aderimit – duke u përputhur me anëtarësimin tonë historik në NATO si anëtari i 30-të i Aleancës. Fillimi zyrtar i negociatave të anëtarësimit, i shcnuar në Konferencën Ndërqeveritare në korrik të vitit 2022 dhe përfundimi i suksesshëm i procesit të skriningut në vitin 2023, pasqyron vendosmërinë dhe angazhimin tonë të palëkundur në këtë rrugë.
Më lejoni të theksoj se procesi i aderimit në BE nuk është vetëm prioritet i zakonshëm, por është ndër prioritetet kryesore për qeverinë e re, krahas zhvillimit ekonomik. Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të zbatuar reformat e nevojshme për të transformuar shoqërinë tonë në përputhje me rregullat dhe standardet e BE-së, veçanërisht në katër fushat kyçe të sundimit së drejtës: gjyqësorit, përpjekjet kundër korrupsionit, liria e medias dhe kontrollet dhe balancat institucionale.
Në Raportin e sundimit të së drejtës për vitin 2024, raporti ynë i parë nën mekanizmin e BE-së, theksohet progresi i rëndësishëm që tanimë kemi arritur. Megjithatë, në Raport gjithashtu theksohen fushat ku nevojitet përmirësim i mëtejshëm, veçanërisht në përforcimin e kornizave tona ligjore dhe institucioneve. Këto gjetje përputhen me Raportin e Skrining-ut (shqyrtimit) të Vlerave Fundamentale dhe Raportin Vjetor të Komisionit Evropian. Si përgjigje, po hartojmë në mënyrë proaktive reforma të reja, të përfshira në Udhërrëfyesin tonë për sundimin e së drejtës dhe Agjendën tonë Reformuese 2024-2027, sipas Planit të Rritjes të Ballkanit Perëndimor.
Më lejoni të përshkruaj shkurtimisht prioritetet tona kryesore të reformave:
Reformat në Gjyqësorë: Maqedonia e Veriut ka bërë progres të konsiderueshëm në reformat gjyqësore, duke u fokusuar në pavarësinë, efikasitetin dhe profesionalizmin. Strategjia jonë e zhvillimit të sektorit për drejtësi (2024 – 2028), dhe Plani i veprimit për zbatimin e strategjisë së zhvillimit të sektorit për drejtësi (2024 – 2028), do t'i thellojë këto përpjekje, me fokus në rishikimin e legjislacionit gjyqësor në përputhje me rekomandimet e misionit vlerësues. Ne jemi të përkushtuar për të rritur transparencën, përgjegjshmërinë dhe integritetin brenda sektorit gjyqësor, ndërkohë që po ashtu përmirësojmë pavarësinë e tij financiare dhe digjitalizimin. Rikthimi i besimit të publikut në gjyqësor, është parësor.
Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet më të larta, mbetet një nga prioritetet kryesore të Qeverisë. Pavarësisht rreziqeve të pranishme të korrupsionit, jemi duke zhvilluar në mënyrë aktive Kodin e ri Penal në përputhje me standardet e BE-së. Po ndërtojmë gjithashtu kapacitete për zbatimin e ligjeve, vendosim korniza për kthimin e pronës dhe përmirësimin e të dhënave të hetimit, ndjekjet penale dhe konfiskimet në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar. Institucionet e fuqishme dhe profesionale janë thelbësore për të garantuar drejtësinë, pavarësisht se kush e ka pushtetin vendimmarrës.
Liria dhe Pluralizmi Mediatik: Përkushtimi ynë në sferën e lirisë së mediave është i palëkundur, por njohim nevojën për të krijuar mjedis edhe më të favorshëm për gazetarët. Prioritetet tona përfshijnë harmonizimin e kornizës tonë ligjore për mediat online, sigurimin e pavarësisë së transmetimit tonë nacional dhe përforcimin e mbrojtjes ligjore dhe të drejtave të punës së gazetarëve. Gjithashtu jemi të përkushtuar edhe në luftën kundër dezinformimit dhe lajmeve të rreme, si dhe sigurimin e hetimeve të shpejta për sulmet ndaj punonjësve të mediave. Mjedisi ynë mediatik duhet të jetë udhërrëfyes për dialogun demokratik, por njëkohësisht duhet të mbrohet nga ndërhyrjet e jashtme.
Përforcimi i institucioneve demokratike: Jemi të angazhuar për përforcimin e procesit tonë demokratik, përmes përforcimit të mbikëqyrjes së Kuvendit ndaj pushtetin ekzekutiv, duke e rritur transparencën dhe duke siguruar llogaridhënie më të larë në institucionet shtetërore. Reformat kyçe legjislative, siç janë ndryshimet në Ligjin për Avokatin e Popullit, do të harmonizohen me parimet e Parisit dhe Venecias, duke siguruar funksionimin efikas të mekanizmit të kontrollit civil. Më tej, jemi të përkushtuar për zgjerimin e të drejtave të pakicave dhe grupeve të rrezikuara, në përputhje me Udhërrëfyesin tonë për sundimin e së drejtës.
Zonja dhe Zotërinj,
Përfshirja jonë në Mekanizmin e sundimit të së drejtës të BE-së, shënon hap kritik në integrimin tonë të përshpejtuar në Bashkimin Evropian. Duke shikuar përpara, kërkojmë pjesëmarrje të plotë të vendeve kandidate në këtë mekanizëm, duke përfshirë rekomandime dhe monitorime më të detajuara, që të ndihmojmë në harmonizimin më të shpejtë me standardet evropiane. Kjo jo vetëm që do të përmirësojë kornizën tonë të sundimit të së drejtës, por gjithashtu do të lehtësoj integrimin më të thellë në menaxhimin e sistemit ekonomik evropian - dy procese që medoemos duhet të zhvillohen ndërthorazi.
Në fund, më lejoni të konfirmojë se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve të saj në procesin e aderimit drejt BE-së. Jemi të vetëdijshëm për kompleksitetin dhe kërkesat që lindin nga ky rrugëtim, por jemi të gatshëm për bashkëpunim të ngushtë me Komisionin dhe Komisarin e ri për zgjerim, duke u mbështetur në përvojat e vlefshme të vendeve anëtare të BE-së. Qëllimi ynë është i qartë: ti përmbushim të gjitha reformat e domosdoshme deri në vitin 2028 dhe të jemi të përgatitur për hyrje në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, siç u premtua në Konferencën e parë politike ndër-Qeveritare. Me vendosmëri, përkushtim dhe punë të palodhur, jemi të bindur se ky qëllim është i arritshëm.
Faleminderit.