Lajme
13.9.2024 03:30
Në kuadër të vizitës së punës në Mal të Zi, ministri i Çështjeve Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, pati një takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimoviq. Theksi i bisedimeve ishte në thellimin e marrëdhënieve bilaterale, bashkëpunimi rajonal dhe aspiratat e përbashkëta të të dy vendeve për anëtarësimin në Unionin Evropian.
Ministrat Murtezani dhe Ibrahimoviq riafirmuan bazën e fuqishme të marrëdhënieve bilaterale, të cilat në kontinuitet vazhdojnë në frymën e miqësisë, pa pyetje të hapura. Këto marrëdhënie bazohen në miqësinë tradicionale, partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin konstruktiv shumëvjeçar. Ministrat theksuan se Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë një interes të përbashkët në mbështetjen dhe avancimin e stabilitetit dhe sigurisë në rajon, duke kontribuar kështu për një të ardhme të begatë në Ballkanin Perëndimor.
Në kontekstin e integrimit evropian, ministrat theksuan Marrëveshjen për Bashkëpunim ndërmjet Qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në procesin e pranimit në BE, të nënshkruar në vitin 2011, si një element i rëndësishëm në përpjekjet e përbashkëta për integrim më të shpejtë në Union. Ata ranë dakord se mbështetja teknike dhe operative që Mali i Zi e jep për Maqedoninë e Veriut në këtë proces, paraqet shembull për solidaritet dhe bashkëpunim të shkëlqyer në rajon.
Murtezani dhe Ibrahimoviq riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët në ndërtimin e marrëdhënieve edhe më të forta dhe më të thella mes dy vendeve, si dhe angazhimin e tyre në proceset reformuese që do të mundësojnë integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Ata shprehën besimin se kjo rrugë do të ndihmohet nga bashkëpunimi dhe mbështetja e vazhdueshme midis vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian.