Lajme
13.9.2024 10:44
Nw një takim me homologun e tij malazez, ministri i Çështjeve Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, sot në mëngjes nisi një vizitë pune në Mal të Zi. Në takim me ministren për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq, u shkëmbyen mendime mbi hapat e ardhshëm në avancimin e procesit të pranimit në Bashkimin Evropian dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimorë.
Murtezani dhe Gorçeviq riafirmuan rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë në trajtimin e sfidave të përbashkëta, siç janë reformat në gjyqësor, sundimi i ligjit, masat kundër korrupsionit dhe zhvillimit ekonomik, duke theksuar se këto reforma janë vendimtare jo vetëm për procesin e pranimit në BE, por edhe për nxitjen e stabilitetit dhe zhvillimin e rajonit. Ministrat ranë dakord të forcojnë bashkëpunimin midis ministrive të tyre në trajtimin e këtyre përparësive dhe ndarjen e praktikave të mira.
Temë qendrore e diskutimit ishte Plani i ri i rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të mbështesë më tej integrimin ekonomik të rajonit në tregun e vetëm evropian. Të dy ministrat theksuan mundësinë që kjo nismë të përshpejtojë afrimin e Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe ranë dakord mbi rëndësinë e zbatimit të shpejtë të elementëve kryesorë të planit, i cili përfshin investime në infrastrukturë, tranzicionin energjetik dhe mbështetjen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Ministrat diskutuan edhe për agjendat rrjedhëse reformuese të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, me fokus në fushat kyçe të reformës së administratës publike, gjyqësorit dhe përmirësimit të qeverisjes demokratike. Në takimin në Podgoricë u theksua përpjekja reciproke e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi për t'u bërë anëtarë të plotë të integruar në Bashkimit Evropian. Ministrat shprehën besimin se bashkëpunimi i vazhdueshëm rajonal dhe harmonizimi me prioritetet e BE-së do t’i forcojnë mundësitë për realizimin e këtij qëllimi, duke theksuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor i takon Europës së integruar.