Lajme
04.9.2024 05:46
Ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, në takim me Komisarin për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varheјi, mëngjesin e sotëm e filloi vizitën e parë të punës në Bruksel.
Bisedat u fokusuan në procesin aktual euro-integrues dhe në hapat që vijojnë për progres të mëtejshëm. Ministri Murtezani theksoi përkushtimin e fuqishëm të Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit drejt BE-së, si dhe gatishmërinë e vendit për tu harmonizuar me standardet e Unionit. Komisari Varheji përshëndeti kontributin e Qeverisë në kontekst të përgatitjeve intensive të Planit të Rritjes së BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, njëkohësisht duke e potencuar nevojën për të kaluar më shpejt në fazën tjetër - përmbushjen pikë referimeve (benchmark) për çeljen e Klasterit të Parë. Ai theksoi se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në tejkalimin e sfidave të mbetura në rrugën e saj evropiane, veçanërisht përmes ndihmës teknike dhe financiare për thellimin e reformave institucionale.
Një nga temat kryesore të takimit ishin amendamentet kushtetuese për çka Murtezani informoi se është e nevojshme të krijohet klimë e përshtatshme politike dhe mbështetje publike për këto ndryshime, njëkohësisht theksoi edhe gatishmërinë e Qeverisë për dialog konstruktiv me Bullgarinë.
U shkëmbyen mendime dhe informacione edhe për Planin për Rritje të BE-së për BP, i cili është mekanizëm kryesor për rritjen e investimeve dhe përforcimin e rezistencës ekonomike të vendeve të rajonit. Varheji përshëndeti rolin aktiv të Maqedonisë së Veriut në nismat rajonale dhe harmonizimin e saj me agjendën strategjike të BE-së për 2024-2029, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme evropiane, veçanërisht në sferat që janë kyçe për transformimin e Maqedonisë së Veriut: sundimin e së drejtës, reformat në administratën publike dhe lufta kundër korrupsionit. Murtezani theksoi se është e rëndësishme që këto reforma jo vetëm të zbatohen, por thellë të rrënjosen në rrjedhat e përditshme të shoqërisë.
Lidhur me marrëdhëniet e mira fqinjësore, Murtezani përsëri theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut drejt përforcimit dhe thellimit të tyre, duke theksuar se këto marrëdhënie janë fundamentale për stabilitetin rajonal, prosperitetin ekonomik, por edhe për besueshmërinë e Unionit. Ministri Murtezani riafirmoi gatishmërinë për veprim vendimtar në kontekst të hapave të ardhshëm lidhur me dosjen evropiane të vendit, me punë thelbësore në reforma për të siguruar progres të qëndrueshëm në përmbushjen e qëllimit strategjik të Qeverisë – anëtarësim në Bashkimin Evropian.