Lajme
27.8.2024 02:00
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski dhe Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, këtë mëngjes mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp në të cilën informuan opinionin për Draft-Agjendën reformuese të Planit për rritje ekonomike të Ballkanit Perëndimor.
Në vazhdim mund ta lexoni fjalimin e Ministrit Murtezani.
“Të nderuar përfaqësues të mediave, do të kisha dashur të ndërlidhesha me pjesën për detyrimet e ndërmarra në kuadër të Draft-Agjendës Reformuese 2024-2027 (i cili do të mbetet si draft deri në miratimin përfundimtar nga KE-ja). Duke marrë përsipër pjesën më të madhe të prioriteteve që institucionet tona i udhëhoqën me Komisionin Evropian, unë, bashkë me ekipin e shërbimeve profesionale në Ministrinë e Çështjeve Evropiane, Ministrinë e Financave dhe të gjitha ministritë kompetente, natyrisht edhe vetë Qeveria, që nga dita e parë kemi punuar me përkushtim në obligimet e caktuara, duke u fokusuar në projektet kryesore, përfundimin me sukses të të cilave e konsideroj një nga arritjet më të rëndësishme në 100 ditët e para të mandatit të kësaj Qeverie.
Sipas informacionit të përcjellë nga Komisioni Evropian, sipas formulës së Rregullativës për instrumentin e reformave dhe rritjes, të miratuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së. Ashtu siç theksoi më parë Kryeministri, RMV duhet të marrë 750,4 milionë euro për periudhën 2024-2027. Këto mjete do të kushtëzohen nga realizimi i hapave konkretë kualitativ dhe kuantitativ në lidhje me masat për reformat e planifikuara. Ose me fjalë të tjera, dhe me numra të të rrumbullakuar, 250 milionë euro do të merren si grant ose mjete të pakthyeshme për projekte investuese, ndërsa 500 milionë euro do të sigurohen përmes huas me kushte jashtëzakonisht të volitshme (shlyerja fillon nga viti 2034, deri në 40 vjet afat të shlyerjes dhe shkallë interesi të volitshme), nga të cilat 250 milionë euro do të përdoren për realizimin e reformave (mbështetja buxhetore) dhe 250 milionë të tjera do të alokohen për projekte investuese.
Kryeministri iu referua 4 shtyllave themelore të Planit të Rritjes Ekonomike për vendet e BP-së. Në kuadër të këtij Plani, vendi ynë do të fokusohet në pesë fusha prioritare në agjendën e reformave: menaxhimi dhe reforma e administratës publike, tranzicioni energjetik dhe i gjelbër, zhvillimi i kapitalit njerëzor, përmirësimi i mjedisit afarist dhe sundimi i së drejtës.
Konkretisht, do të punojmë në forcimin e kontrollit financiar të brendshëm publik, forcimin e sistemit të prokurimeve publike, dekarbonizimin dhe burimet e rinovueshme të energjisë (diellore dhe me erë), miratimin e sistemit të tregtisë me emisionet e gazit, efikasitetin energjetik dhe ballafaqimin me ndotjen e ajrit. Kjo përfshin edhe zhvillimin e arsimit dhe aftësive nëpërmjet reformave të arsimit të mesëm profesional si reformimin e ndërmarrjeve shtetërore dhe publike, veçanërisht në komunikacionin postar dhe hekurudhor, duke përfshirë edhe futjen e sistemit inteligjent të transportit, rritjen e e-shërbimeve në punën doganore, përmirësimin e mjedisit afarist duke forcuar inspektoratet dhe duke shtuar mbikëqyrjet inspektuese, mbështetjen për punën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në pjesën e sundimit të së drejtës, zhvillimin e demokracisë përmes reformës së legjislacionit zgjedhor, forcimin e pavarësisë, cilësisë dhe integritetit të gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, miratimin e Kodit të ri Penal dhe Ligjit për procedurën penale në përputhje me standardet e BE-së dhe prioritetet e tjera që, në interes të kohë, nuk do t'i numëroj në detaje.
Duke u ndërlidhur në konferencën time të mëparshme për shtyp, kur iu referova mjeteve të pashfrytëzuara të BE-së, bëra fjalë për nevojën e ndërtimit të kapacitetit dhe politikës së mbajtjes së kuadrit në strukturat e zbatimit. Në këtë kontekst, do të bëhet analiza për nevojën eventuale për krijimin e strukturës shtesë ose shfrytëzimin e strukturës ekzistuese (me forcimin dhe zgjerimin e saj), e cila do të ketë për qëllim që me të gjitha resurset dhe kapacitetet të sigurojë stabilitet ekonomik, qëndrueshmëri dhe cilësi më të mirë jetese për të gjithë qytetarët.
Ju faleminderit për vëmendjen„.