Lajme
26.6.2024 06:21
Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot në ambientet e Ministrisë së Çështjeve Evropiane realizoi takim me Delegacionin e shtetit federal gjerman të Bavarisë, të udhëhequr nga Gerhard Hop, anëtar i Komisionit për Evropën në Parlamentin Rajonal të Bavarisë.
Në fokus të takimit me Delegacionin Bavarez ishin aktivitetet e Maqedonisë së Veriut që dalin nga procesi i aderimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi i deritanishëm me Bavarinë dhe më gjerë me Gjermaninë, si dhe mundësitë për thellimin dhe zgjerimin e tij në periudhën e ardhshme. Të dyja palët konstatuan se Gjermania është mbështetëse e dëshmuar dhe e besueshme e proceseve integruese evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe shprehën bindjen se mbështetja e tillë nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.
Ministri Murtezani shkurtimisht i njoftoi anëtarët e Delegacionit me kompetencat e ministrit të Çështjeve Evropiane. Ai, gjithashtu, iu referua edhe ndihmës së ofruar nga qeveria gjermane në momentet vendimtare të së kaluarës së afërt, si për shembull, gjatë krizës së Kovid-19 të vitit 2020, por edhe në krizën e emigrantëve të vitit 2025. Ministri Murtezani theksoi se sivjet e shënojmë 25-vjetorin e nënshkrimit të Deklaratës së Përbashkët ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Bavarisë të nënshkruar në vitin 1999 dhe 40-vjetorin e bashkëpunimit të rëndësishëm ndërmjet qyteteve të vëllazëruara të Shkupit dhe Nurenbergut.
Në emër të Delegacionit Bavarez, Hopi uroi për emërimin e ministrit Murtezani në funksionin veçanërisht të rëndësishëm, pasi siç theksoi ai, Bashkimi Evropian, siguria, garancia dhe mbrojtja e demokracisë në Evropë janë tema me rëndësi të njëjtë edhe për Maqedoninë e Veriut, edhe për Bavarinë. Hopi iu referua domosdoshmërisë për komunikimin e vazhdueshëm, si mënyra më efektive për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për sfidat.
Gjatë takimit, të dyja palët shkëmbyen informacione për më shumë tema me interes të ndërsjellë, duke përfshirë arsimin, bashkëpunimin me të rinjtë, bashkëpunimin në sektorin e shëndetësisë, etj.