Lajme
02.11.2023 01:40
Sot, Sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu-Halili, pati takim me Ambasadorin e Japonisë, Otsuka Kazuya.
Në takim ajo iu falënderua Ambasadorit Kazuja për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme, të cilën e marrim përmes bashkëpunimit zyrtar zhvillimor, në më shumë sektorë të rëndësishëm siç janë: shëndetësia, arsimi, zhvillimi i komunave, por edhe asistencë teknike dhe ekspertizë në avancimin profesional të administratës në fusha të ndryshme.
E përkthyer në burime financiare janë rreth 422 milionë euro, para të taksapaguesve japonezë, të cilat janë realizuar përmes financimit të projekteve të ndryshme që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë në fusha të ndryshme.
Përveç kësaj, Japonia jep çdo vit rreth gjysmë milioni euro ndihmë granti të pakthyeshme përmes Programit për Projekte të Vogla për Nevoja Bazë Njerëzore të destinuara për projekte, për objektet shëndetësore, shkollat, ndërmarrjet komunale dhe komunat.
Në tre dekadat e fundit, përmes këtij programi janë realizuar më shumë se 150 projekte, të cilat kanë përmirësuar shërbimet, ku përfitues të drejtpërdrejtë janë qytetarët.