Lajme
06.6.2023 08:29
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, sot kishte fjalën e tij në forumin e parë bilateral të organizatave think-tank maqedonase dhe spanjolle, në seancën përkushtuar integrimeve evropiane dhe politikës së zgjerimit të BE-së.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Mariçiq tha se situata aktuale gjeopolitike e shkaktuar nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës hapi mundësi për integrim të përshpejtuar në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por qëllimi nuk është, siç thotë ai, "ta anashkalojmë procesin e negociatave”, por përfundimisht të realizohet premtimi i Porto Karas.
- Plani i prezantuar nga Kryetarja e Komisionit Evropian nuk duhet të mbetet vetëm me fjalë, por duhet të zbatohet praktikisht. Duhet propozim në tavolinë se cilat janë prioritetet në përputhje me integrimin e përshpejtuar, BE-ja dhe vendet anëtare atë ta mbështesin dhe të krijohet kalendari për periudhën e ardhshme, tha Mariçiq.
Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori me BE-në, Mariçiq, theksoi se në pyetjen “Kur dhe si të arrijmë deri në anëtarësim” është e nevojshme që nga ana jonë të kemi një agjendë intensive reformash në vend, ndërkaq nga BE-ja të ketë plan të qartë për anëtarësim, i cili do të rrisë procesin e integrimit evropian tek qytetarët.
U hap edhe diskutimi për gjendjen aktuale të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe potencialin për bashkëpunim në të ardhmen, dhe në këtë drejtim, Zëvendëskryeministri Mariçiq shprehu besimin se Spanja, si edhe më parë, do të mbetet mbështetëse e fuqishme e Maqedonisë së Veriut në prag të presidencës spanjolle të BE-së, se Qeveria spanjolle mbetet e përkushtuar për zgjerimin e BE-së me vendet e rajonit.
- Është e nevojshme që Konferenca e radhës ndërqeveritare të mbahet gjatë presidencës spanjolle, respektivisht deri në fund të vitit. Ky do të jetë investimi më i mirë i presidencës spanjolle, sepse integrimi i Ballkanit Perëndimor në BE është investim për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në Evropë, theksoi Mariçiq.
Forumi i parë bilateral i think-tank organizatave maqedonase dhe spanjolle nën titullin "Mendojmë dhe punojmë së bashku" u organizua nga Instituti "Prespa", me iniciativë të përbashkët me Institutin Mbretëror Elkano nga Madridi.