Lajme
06.6.2023 03:26
Sot në Bruksel vazhdojnë skrining takimet për Klaster 3 “Konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse” për Kapitullin 17, “Politika Ekonomike dhe Monetare”.
Anëtarët e grupit punues për Kapitullin 19, të udhëhequr nga Zëvendëse kryenegociatorja me BE-në dhe Sekretare Shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane, Drita Abdiu-Halili, prezantuan për situatën aktuale ekonomike në Maqedoninë e Veriut dhe reformat strukturore fiskale aktuale.
Para përfaqësuesve të Komisionit Evropian, zëvendëse kryenegociatorja me BE-në, Abdiu-Halili, tha se “Maqedonia e Veriut në vazhdimësi arrin rezultate të dukshme përmes aplikimeve në programet ekonomike para-aderuese, ndërkaq së fundmi edhe nga programet për reformat ekonomike”.
Abdiu-Halili në takim iu referua edhe pjesës së reformave që i kemi realizuar, duke potencuar se është miratuar Ligji për Buxhetin i cili është në përputhje me Direktivën e Këshillit të BE-së dhe se Qeveria do të mbetet e fokusuar në krijimin e politikave të cilat , siç thotë ajo, “do të na ndihmojë të ndërmarrim detyrimet që dalin nga anëtarësimi në unionin ekonomik dhe monetar”.
- Jemi të përkushtuar avancimin e financave publike dhe promovimin e politikave efektive ekonomike. Harmonizimi me rregulloren evropiane është në fazë të avancuar dhe prioriteti ynë kryesor është përforcimi i pavarësisë institucionale dhe financiare të Bankës Popullore, shtoi Drita Abdiu-Halili.
Institucionet kompetente për këtë fushë, përfaqësuesit e të cilëve në skriningun e sotëm bilateral prezantuan politikën monetare dhe ekonomike të Maqedonisë së Veriut, janë: Ministria e Financave, Banka Popullore, Ministria e Ekonomisë, Enti Shtetëror për Statistikë dhe Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, si dhe Sekretariati për Çështjet Evropiane.
Nesër do të fillojë skrining takimi bilateral për Kapitullin 29, “Unioni doganor” i cili do të zgjas dy ditë.