Lajme
30.5.2023 10:10
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane dhe kryenegociatori me BE-në, Bojan Mariçiq, në skrining takimin e sotëm bilateral për Kapitullin 26, “Arsimi dhe Kultura”, tha se kjo sferë përpunon temë thelbësore për arritjen e mirëqenies së qytetarëve maqedonas, duke u bazuar në një rritje solide ekonomike gjithëpërfshirëse të shtetit.
- Për zhvillimin e ekonomisë maqedonase, si burim kryesor zhvillimor e shohim kapitalin njerëzor, sipas shembullit të ekonomive të zhvilluara të BE-së, dhe cilësia e këtij varet nga oferta e arsimit dhe trajnimit të duhur. Për këtë arsye ne do të vazhdojmë të koordinohemi me politikat e BE-së dhe të përforcojmë kapacitetet administrative, tha Zëvendëskryeministri Mariçiq.
Mariçiq iu referua edhe reformave kryesore në kapitullin "Arsimi dhe Kultura", duke e potencuar projektligjin e ri për arsimin e mesëm, i cili parasheh se 20% e programeve arsimore të mësohen duke përdorur instrumente digjitale ose përmbajtje digjitale.
Kur bëhet fjalë për sistemin nacional arsimor, Mariçiq njoftoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës po përgatit Ligj të ri për arsimin e mesëm në mënyrë shtesë të elaboroj kapitujt e veçantë për arsimin gjithëpërfshirës, pjesëmarrjen demokratike të nxënësve, punën e Qendrave Rajonale për Arsimin Profesional dhe Trajnim, si dhe qëndrueshmërinë e mjedisit jetësor.
- Po ashtu, duke filluar nga viti akademik 2023/24, shkollat fillore me qendra burimore apo shkollat e mëparshme speciale nuk do të pranojnë më nxënës me nevoja të veçanta arsimore, me çka me sukses arritëm përfshirjen e plotë të nxënësve me nevoja të veçanta arsimore në shkollat fillore dhe arsimit më të gjerë, duke shtuar se Qeveria po përgatit edhe Strategjinë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara 2023-2030.
Kryenegociatori me BE-në tha se Maqedonia e Veriut merr pjesë aktive dhe me sukses në programet evropiane të arsimit Erasmus+ dhe Trupat Evropiane të Solidaritetit dhe se deri më tani, më shumë se 35,000 pjesëmarrës përmirësuan aftësitë e tyre dhe i provuan përfitimet e Erasmus+ në të gjitha aktivitetet kyçe, duke theksuar se aktualisht në fazën përfundimtare të zhvillimit është Strategjia Nacionale për të Rinjtë, duke ndjekur metodologjinë e BE-së dhe dialogun e vazhdueshëm me të gjithë aktorët përkatës.
Sa i përket politikave në fushën e kulturës, Mariçiq tha se vendi ynë zbaton dhe financon programe dhe projekte për mbështetjen e kulturës, dhe paralelisht i përafron politikat tona me qëllimet e agjendës evropiane për kulturën, duke potencuar se Maqedonia e Veriut ishte ndër të parat në rajon që nënshkroi marrëveshjen dhe është pjesëmarrëse e suksesshme në programin e BE-së për Evropën Kreative.
Prezantimet e sotme para përfaqësuesve të Komisionit Evropian fokusohen në rishikimin e kornizës tonë ligjore, nivelin e harmonizimit, kornizën institucionale dhe planet e ardhshme në fushat kryesore: arsimi fillor, i mesëm dhe i lartë, qasje në arsim dhe trajtim i barabartë, arsimi dhe trajnimi profesional, pjesëmarrje në programet e BE-së, politikat për rininë dhe sportin dhe fushën e kulturës.
Në skrining takimin bilateral mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Nesër vazhdon agjenda e skriningut bilateral nga Klasteri 3, “Konkurrenca dhe Rritja Gjithëpërfshirëse” për Kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politika Industriale”.