Lajme
17.3.2023 02:16
Sot në Bruksel vazhdon skriningu shpjegues për Klaster 4 “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”, me mbledhjen e parë për Kapitullin 27 “Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike”.
Në fillim të takimit Sekretarja shtetërore në Sekretariatin për Çështje Evropiane dhe Zëvendës kryenegociatorja, Drita Abdiu-Halili, foli lidhur me aktivitetet të cilat i ndërmori Qeveria në këtë fushë dhe theksoi se deri më tani Maqedonia e Veriut ka miratuar Strategji afatgjate mbi ndryshimet klimatike që përcakton vizionin tonë për një ekonomi me karbon të ulët deri në vitin 2050.
“Kohët e fundit, ne kemi bërë përpjekje për krijimin e një sistemi të integruar rajonal të menaxhimit të mbeturinave, dhe tashmë kemi siguruar financim për 5 rajone (Vardarin, Pollogun ,Pellagoninë, Rajonin jugperëndimor dhe juglindor). Gjithashtu kemi përafruar legjislacionin tonë kombëtar me legjislacionin e BE-së mbi menaxhimin e mbetjeve, kryesisht përmes miratimit të një pakoje të rëndësishme legjislative për mbetjet, Planit Kombëtar për Parandalimin e Mbetjeve, programeve për Menaxhimin e Mbetjeve, Pajisjeve Elektrike dhe Elektronike, Mbetjeve të Baterive dhe Menaxhimit të Baterive” – tha Drita Abdiu-Halili.
Në vazhdim ajo shtoi se Maqedonia e Veriut Gjithashtu ka hartuar një Ligj për veprimin ndaj klimës, i cili është në procedure të debatit publik, i harmonizuar me Rregulloren për qeverisjen e energjisë, Direktivën ETS (Direktiva që krijon një skemë mbi emetimet e lejuara të gazrave serrë brenda komunitetit) dhe Rregulloren mbi monitorimin dhe raportimin.
Klasteri 4, “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”, është voluminoz dhe mbulon 25% të legjislaturës së përgjithshme të Bashkimit Evropian. Duhet të përmendet se kjo fushë krahas sfidave që i imponon qytetarëve, si dhe vendit, njëherit kërkon edhe më shumë mjete financiare për arritjen e standardeve evropiane.
Kapitulli 27, “Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike” është një nga nxitësit e rritjes së gjelbër, konkurrencës dhe zhvillimit të ekonomisë së gjelbër. Së bashku me kapitullin e energjetikës, ky kapitull paraqet rrugën për zhvillim të mëtejshëm të tranzicionit të gjelbër në tranzicion kombëtar dhe më tej në tranzicion rajonal, inoformojnë nga Sekretariati për Çështje Evropiane.
Skriningu shpjegues “Mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike”, vazhdon edhe të hënën dhe me këtë përfundon skriningu shpjegues për Klaster 4, “Agjenda e gjelbër dhe ndërlidhja e qëndrueshme”.
Javën e ardhshme do të fillojë skriningu bilateral për Klaster 3, “Konkurrenca dhe rritja inkluzive” me kapitujt 10 dhe 16, “Shoqëria informatike dhe mediat” dhe “Tatimet”.
Deri më tani, Maqedonia e Veriut ka përfunduar skriningun bilateral për dy klasterat e para, me gjithsej 14 kapituj dhe 3 fusha, kurse mbeten edhe 4 klasterë me 19 kapituj.