Lajme
28.2.2023 08:24
Sot në Bruksel vazhdon takimi i skriningut bilateral për Kapitullin “Shërbimet financiare” në kuadër të Klasterit 2, “Tregu i brendshëm”. Në fillim të takimit Zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, theksoi se procesi i negociatave me BE-në dhe skriningu, si fazë e parë e procesit, na çon deri në një sistem financiar më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më efikas.
-Harmonizimi me standardet evropiane të BE-së në fushën e bankave, sigurimit, tregut të kapitalit dhe shërbimeve investuese do të ofrojë siguri afatgjate juridike dhe financiare, që është në interes të institucioneve financiare, investitorëve potencial por para se gjithash qytetarëve, tha negociatori kryesor me BE-në, Mariçiq.
Sipas agjendës së sotme ekipi negociues prezantoi për shkallën e harmonizimit dhe implementimit të legjislaturës së Unionit në Kapitullin 9, “Shërbimet financiare” për fushat: sigurimi, tregjet financiare dhe letrat me vlerë, funksionimi dhe mbikëqyrja e institucioneve , masat anti-korruptive në fushën e shërbimeve financiare, si dhe për mënyrën e bashkëpunimit të organeve kompetente për mbikëqyrjen e tregut financiar.
Nesër fillon skriningu bilateral për Kapitullin 28, “Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti publik” i cili do të zgjas dy ditë, ndërkaq të premten do të mbahet skrining takimi bilateral për Kapitullin 2 “Lëvizja e lirë e punëtorëve”.
Shërbimet financiare janë të rëndësisë së veçantë për funksionimin e mirë të tregut të brendshëm të BE-së si një nga themelet e integrimit evropian. Qëllimi më i rëndësishëm i së drejtës së BE-së në fushën e shërbimeve financiare është sigurimi i stabilitetit financiar të kompanive që punojnë në sektorin financiar dhe mbrojtja e përshtatshme e konsumatorëve, investitorëve dhe siguruesve, qëndron në kumtesën e Sekretariatit për Çështje Evropiane.